Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka njoftuar për identifikimin përmes ADN-së të tri viktimave të luftës në Kosovë.
Kurti bëri të ditur se është informuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të gjetura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Kurtit, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999.
Kurti ka bërë të ditur se raportet e ADN-së janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore dhe se familjet e tri viktimave janë njoftuar nga institucionet përkatëse.
“Shpresojmë që në ditët dhe javët në vijim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së”, ka shkruar Kurti, duke shprehur shpresën se edhe familjet e tjera do të marrin përgjigjet që i presin prej 27 vitesh.
Varri masiv në Kalludër ishte konfirmuar në fund të korrikut, ndërsa gjatë muajit gusht mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë u dërguan për analiza të ADN-së. Në atë kohë, institucionet e Kosovës njoftuan se procesi i identifikimit do të vazhdonte pas përfundimit të ekzaminimeve forenzike.
Nga SHBA-ja, Kurti ka përsëritur gjithashtu kërkesën ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe zbatimin e zotimeve të lidhura me personat e zhdukur, duke kërkuar njëkohësisht nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar që të shtojnë trysninë për zbardhjen e fatit të personave ende të pagjetur.
Çështja e personave të zhdukur, sipas Kurtit, do të jetë pjesë e angazhimit të tij edhe gjatë takimeve në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor”, ka deklaruar Kurti./kudoshqip.com