Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka ndërmarrë hapa ligjorë lidhur me pretendimet për sulme, kërcënime, fyerje dhe presione ndaj tij nga persona të cilët, sipas përfaqësuesve të tij ligjorë, janë të lidhur me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Zyra e Avokatëve Hodaj & Partners, e cila ka marrë përsipër përfaqësimin e Rrahmanit, ka bërë të ditur se tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore dhe se materialet dhe provat përkatëse janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë.
Sipas njoftimit, Rrahmani pretendon se për më shumë se dy vite është përballur me kërcënime, sulme, fyerje dhe presione të vazhdueshme.
“Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t’i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal”, thuhet në njoftimin e avokatëve.
Nga zyra ligjore bëjnë të ditur se çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të adresohen përmes institucioneve kompetente dhe mbi bazën e provave.
“Besojmë se institucionet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e përfaqësuesve ligjorë të kapitenit të Kosovës.
Deri në një vendim apo konstatim të institucioneve kompetente, pretendimet e bëra në këtë njoftim mbeten pjesë e procedurave ligjore dhe nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar mbi përgjegjësinë e personave të përmendur./kudoshqip.com

















