Gjithnjë e më shpesh, shqiptarët po bëhen pjesë e ngjarjeve të mëdha në Gjermani – jo vetëm si vizitorë, por edhe në skenë, në organizim apo në bizneset që qëndrojnë pas këtyre eventeve.
Një shembull interesant vjen nga „GLÜCKSGEFÜHLE“, festivali që konsiderohet ndër eventet më të mëdha muzikore në Gjermani dhe që çdo vit tërheq rreth 250 mijë vizitorë në pistën e famshme Hockenheimring.
Edicioni i këtij viti do të zhvillohet nga 3 deri më 6 shtator 2026, me një program të pasur muzikor në zhanret Pop, EDM dhe Hip-Hop. Në mesin e emrave të njohur që pritet të ngjiten në tri skenat e festivalit janë David Guetta, Ayliva, Mark Forster, Scooter, Ski Aggu dhe Hardwell, krahas shumë artistëve të tjerë.
Festivali organizohet nga Markus Krampe dhe ish-futbollisti i kombëtares gjermane, Lukas Podolski. Për shkak të përmasave të eventit, organizatorët kanë paraparë edhe masa të rrepta sigurie dhe kontroll të moshës, pasi hyrja është e lejuar vetëm për personat mbi 18 vjeç.
Por pas një eventi të tillë gjigant nuk qëndrojnë vetëm artistët dhe organizatorët. Një pjesë e rëndësishme është edhe infrastruktura e shërbimeve, përfshirë ushqimin dhe pijet.
Në këtë pjesë të festivalit është përfshirë edhe Mentor Hajdari, një biznesmen shqiptar që jeton dhe vepron prej vitesh në Gjermani. Hajdari është një nga tre bashkëpronarët e birrarisë „Irle“, një kompani me histori që daton që nga viti 1693 dhe që është përzgjedhur për të ofruar pijet e saj në këtë mega-event.
Mentor Hajdari mban gjithashtu pozitën e Geschäftsführer-it (Drejtor Ekzekutiv) të Grupit Mercedes-Benz Jürgens, kompani që numëron rreth 1.400 të punësuar dhe që gjeneron një qarkullim vjetor prej më shumë se 1.3 miliardë eurosh.
Prania e tij në një prej eventeve më të mëdha muzikore në Gjermani është një tjetër shembull i shqiptarëve që tashmë janë bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe biznesit gjerman.
Nëse jeni adhurues i muzikës Pop, EDM apo Hip-Hop, 3–6 shtator 2026 janë datat që ia vlen t’i shënoni në kalendar. Hockenheimring pritet të shndërrohet për katër ditë në një nga qendrat më të mëdha të muzikës dhe argëtimit në Gjermani./kudoshqip.com

















