Presidenti amerikan Donald Trump po mbështetet gjithnjë e më shumë te të dërguarit politikë dhe figura të afërta me administratën e tij, ndërsa një numër i madh postesh diplomatike amerikane në mbarë botën mbeten të paplotësuara.
Sipas një analize të publikuar nga gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), nga 196 poste për ambasadorë amerikanë, 97 janë aktualisht vakantë – pothuajse gjysma e të gjitha posteve.
Sipas NZZ-së, një situatë e tillë nuk është parë në historinë e afërt të diplomacisë amerikane. Për krahasim, gjatë mandatit të parë të Trumpit, rreth dy vjet pas fillimit të tij, ishin të zbrazëta 45 nga 188 poste. Ndërsa në vitin 2015, gjatë administratës së Barack Obamës, 175 nga 187 poste ishin të plotësuara.
Mungesa e ambasadorëve prek edhe disa prej vendeve më strategjike për politikën e jashtme amerikane. Aktualisht, sipas NZZ-së, SHBA-të nuk kanë ambasadorë të plotë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Irak dhe Kuvajt, ndërsa poste të rëndësishme diplomatike mbeten pa ambasadorë edhe në Berlin, Moskë dhe Kiev.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte tërheqja në dhjetor 2025 e rreth 30 ambasadorëve nga administrata e Trumpit, vendim i ndërmarrë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Në çështjet kryesore të politikës së jashtme, përfshirë Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë, Trump po i jep rol të madh të dërguarve të posaçëm, veçanërisht Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa diplomatët e karrierës dhe ekspertët tradicionalë të Departamentit të Shtetit duket se kanë një rol më të kufizuar.
NZZ e lidh këtë qasje edhe me profilin e të nominuarve për poste diplomatike. Sipas gazetës, shumica dërrmuese e emërimeve janë figura politike, biznesmenë ose persona që kanë mbështetur financiarisht Trumpin dhe aleatët e tij, në vend të diplomatëve të karrierës.
Mes shembujve të përmendur janë ambasadorë me prejardhje nga biznesi dhe persona të lidhur politikisht me administratën Trump, ndërsa për postin e ambasadorit në Kajro është nominuar avokati Nik Oberheiden.
Kjo ngre një pyetje më të gjerë për mënyrën se si administrata Trump po e koncepton diplomacinë amerikane: a po kalon SHBA-ja nga diplomacia tradicionale e ambasadorëve të karrierës drejt një modeli të bazuar te të dërguarit politikë dhe besnikëria personale?
Burimi: Neue Zürcher Zeitung (NZZ)

















