Qeveria federale gjermane po përgatit një projektligj të ri që synon t’u japë kompetenca të zgjeruara autoriteteve doganore (Zollbehörde) në luftën kundër krimit financiar, mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Niciativa ligjore, e cila pritet të shqyrtohet sot në mbledhjen e Kabinetit Qeveritar përpara se t’i kalojë për votim Bundestagut, parashikon ndryshime rrënjësore në mënyrën se si trajtohen pasuritë me origjinë të paqartë.
Inovacioni kryesor i kësaj nisme ligjore lidhet me “përmbysjen e barrës së provës” për pasuritë e luksit.
Sipas rregullave të reja, autoritetet doganore do të kenë të drejtën të sekuestrojnë përkohësisht aset me vlerë të lartë – përfshirë automjete luksoze, orë të shtrenjta apo sende të tjera me vlerë mbi 100,000 euro – nëse pronari i tyre nuk mund të provojë se i ka blerë ato me burime financiare të ligjshme.
Nëse i dyshuari paraqet dokumentacionin përkatës që vërteton origjinën e pastër të financave, pasuria i rikthehet menjëhatë. Në rast të kundërt, aseti konfiskohet përfundimisht dhe çështja i kalon organeve të drejtësisë për ndjekje penale.
Përveç zgjerimit të kuadrit ligjor, autoritetet e doganës gjermane do të pajisen edhe me teknologji të avancuar dixhitale për gjurmimin dhe identifikimin më efektiv të rrjeteve kriminale.
Projektligji ndodhet aktualisht në fazën fillestare administrative. Detajet e plota teknike dhe zbatueshmëria e tij do të qartësohen pasi nisma të përmbyllë rrugëtimin parlamentar në Bundestag./kudoshqip.com

















