Në prag të nisjes së Konferencës së IX të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Albulena Haxhiu ka pritur në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt kosovarë që shërbejnë në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës në vende të ndryshme të botës.

Në pritjen e organizuar mbrëmjen e së dielës, Haxhiu ishte e shoqëruar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në fokus të konferencës pritet të jenë zhvillimet në arenën ndërkombëtare dhe roli i diplomacisë kosovare në përballimin e sfidave të reja, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Misionet diplomatike të Kosovës kanë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të integrimit euroatlantik, konsolidimin e marrëdhënieve me shtetet partnere dhe promovimin e Kosovës si një shtet demokratik, i besueshëm dhe aktiv në skenën ndërkombëtare.

Konferenca e IX e Ambasadorëve do të shërbejë gjithashtu si një mundësi për të harmonizuar prioritetet e politikës së jashtme, për të vlerësuar sfidat me të cilat përballen përfaqësitë diplomatike dhe konsullore dhe për të përcaktuar drejtimet e ardhshme të veprimit diplomatik të Republikës së Kosovës./kudoshqip.com

















