Një incident shqetësues është raportuar në krahun lindor të NATO-s, ku një dron i paidentifikuar ka hyrë në hapësirën ajrore të Bullgarisë nga territori i Rumanisë dhe më pas ka shpërthyer.
Autoritetet bullgare konfirmuan se shpërthimi ndodhi pranë kufirit mes dy vendeve, rreth një kilometër larg një stacioni kompresor të gazsjellësit Trans-Ballkanik, afër ish-pikës kufitare Kardam.
Sipas presidentit bullgar Rumen Radev, fillimisht zhurma e dronit është vënë re nga policia kufitare rumune, ndërsa pak më vonë një patrullë bullgare në zonën e General Toshevos ka dëgjuar shpërthimin e fortë. Ai theksoi se vendi i shpërthimit është identifikuar menjëherë dhe fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo dëmtime në infrastrukturë.
Radev gjithashtu bëri të ditur se droni nuk është zbuluar nga sistemet e monitorimit gjatë kalimit në hapësirat ajrore të të dy vendeve, duke ngritur shqetësime për sigurinë ajrore në rajon. Si reagim, pritet të shtohen masat e mbikëqyrjes dhe patrullimit.
Ky zhvillim vjen pas një serie incidentesh të ngjashme në fund të korrikut, kur forcat rumune rrëzuan tre dronë brenda pak ditësh. Zyrtarët në Bukuresht kanë deklaruar se të paktën një prej tyre ishte i tipit Shahed, i lidhur me përdorimin nga forcat ruse.
Rumania dhe Bullgaria, si vende të NATO-s në rajonin e Detit të Zi, përballen gjithnjë e më shumë me rreziqe sigurie në kontekstin e luftës në Ukrainë, e cila nisi pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në vitin 2022./kudoshqip.com

















