Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar, pasi tre persona nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani.
Sipas autoriteteve gjermane, aksidenti ka ndodhur në autostradën A3, në afërsi të Nittendorf-it, pranë Regensburgut në Bavari. Viktimat po ktheheshin nga Kosova drejt Gjermanisë, ku edhe jetonin.
Policia bën të ditur se automjeti ka humbur kontrollin për arsye ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga, duke rënë nga një urë mbi linjën hekurudhore. Fatmirësisht, në momentin e aksidentit nuk ka pasur përplasje me ndonjë tren, megjithatë përplasja ka qenë fatale për të tre personat, të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Aksidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit të ditës së djeshme. Sipas hetimeve paraprake, në ngjarje nuk është përfshirë asnjë automjet tjetër, ndërsa shkaqet e sakta mbeten ende nën hetim.
Ndërkohë, mediat dhe familjarët në Kosovë kanë konfirmuar identitetin e viktimave: Tahir Aliu (61 vjeç), djali i tij Gentian Aliu (34 vjeç) dhe Laurent Aliu (16 vjeç), të gjithë nga Komogllava e Ferizajt.
Humbja e tyre ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët dhe mbarë komuniteti.
Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë rrugore apelojnë për kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve të gjata, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur lodhja, trafiku i dendur dhe pritjet e gjata në kufi rrisin ndjeshëm rrezikun për aksidente të rënda./kudoshqip.com

















