Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas kërkesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar më shumë kohë për zhvillimin e konsultimeve politike lidhur me arritjen e një konsensusi për postet kyçe institucionale, përfshirë edhe atë të Presidentit të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi nevojën për vazhdimin e bisedimeve me subjektet politike, me qëllim gjetjen e një kandidature të përbashkët për President apo Presidente. Ai nuk përmendi emra konkretë për asnjë nga pozitat, por la të kuptohet se diskutimet mund të përfshijnë edhe çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Kërkojmë kohë shtesë për t’i dhënë mundësi dialogut dhe për të avancuar drejt një marrëveshjeje të përbashkët,” u shpreh Kurti.
Sipas tij, takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë vijuar gjatë kësaj jave, megjithatë ende nuk ka pasur një rezultat konkret. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar deri më tani të marrin pjesë në takime konsultative me Vetëvendosjen.
Kurti shtoi se përpjekjet për zgjerimin e dialogut politik do të vazhdojnë, me synimin për të arritur një marrëveshje sa më gjithëpërfshirëse ndërmjet partive parlamentare.
Pas kësaj kërkese, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e saj, duke lënë të hapur vijimin në një moment tjetër.
Ndërkohë, reagimet në skenën politike mbeten të ndryshme, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të jenë vendimtare, duke marrë parasysh afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit, i cili skadon brenda 30 ditësh nga certifikimi i mandateve – një afat që përfundon në mesnatën e ditës së nesërme./kudoshqip.com

















