Shqip kudo që je!

Ekonomia e Ballkanit, Kosova dhe Shqipëria kampione në ndërtim

Ekonomia e Ballkanit, Kosova dhe Shqipëria kampione në ndërtim - Ekonomia Ballkanit KosovadheShqipëriakampionenëndërtim

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk mbështeten në të njëjtët motorë zhvillimi.

Disa vende kanë ruajtur një bazë relativisht të fortë industriale, të tjera varen më shumë nga tregtia, turizmi dhe shërbimet, ndërsa Shqipëria dhe Kosova dallohen për një peshë të lartë të ndërtimit, krahas rolit të rëndësishëm të industrisë dhe tregtisë në Kosovë dhe bujqësisë në Shqipëri.

Monitor ka përpunuar të dhënat e Eurostat dhe ka krahasuar strukturën e vlerës së shtuar bruto sipas aktivitetit ekonomik (pa përfshirë neto taksat dhe subvencionet) për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mesataren e Bashkimit Europian për vitin 2024, të dhënat më të fundit të disponueshme.

Modelet e rritjes në rajon ndryshojnë ndjeshëm jo vetëm nga njëri-tjetri, por edhe nga ekonomia mesatare e Bashkimit Europian.

Në BE, aktiviteti ekonomik është më i shpërndarë ndërmjet industrisë, shërbimeve profesionale, administratës publike, pasurive të paluajtshme dhe financave, ndërsa vendet e Ballkanit vijojnë të kenë një përqendrim më të madh në sektorë tradicionalë.

Krahasimi tregon se Shqipëria dhe Kosova kanë modele të ndryshme, por të dyja mbështeten ndjeshëm te ndërtimi dhe aktivitetet tradicionale, ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë ruajtur një bazë më të fortë industriale ose janë orientuar më shumë drejt shërbimeve me vlerë të shtuar.

Shqipëria, ekonomia më e varur nga ndërtimi dhe bujqësia

Shqipëria është vendi ku ndërtimi zë peshën më të lartë në ekonomi. Sipas të dhënave të grafikut, sektori gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 5.5% dhe dukshëm mbi të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Pesha e ndërtimit në Shqipëri rezulton më e larta në Europë. Në Kosovë ky sektor përbën rreth 10% të ekonomisë, në Maqedoninë e Veriut 7.2%, ndërsa në Serbi 5.9%, Bosnjë-Hercegovinë 5.6% dhe Malin e Zi rreth 5%.

Zgjerimi i shpejtë i ndërtimeve, i mbështetur nga investimet në banesa, struktura turistike dhe zhvillime të mëdha në zonat urbane e bregdetare, ka qenë një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.

Por mbështetja e lartë te ndërtimi nuk përfaqëson domosdoshmërisht një model të qëndrueshëm zhvillimi në afat të gjatë.

Ndërtimi mund të krijojë punësim, të tërheqë kapital dhe të ushqejë sektorë të lidhur me të, por krijon më pak hapësirë për rritjen e produktivitetit, eksportet dhe inovacionin sesa industria përpunuese, teknologjia apo shërbimet profesionale.

Pasi përfundon cikli i investimit, aftësia e tij për të prodhuar vazhdimisht vlerë të re është më e kufizuar.

Për më tepër, ky sektor ka shërbyer edhe si kanal për hyrjen e parave informale në vend, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe në uljen e përballueshmërisë së banesave për vendasit.

Përveç ndërtimit, Shqipëria ka edhe peshën më të lartë të bujqësisë në rajon. Ky sektor gjeneron rreth 17-18% të vlerës së shtuar bruto, kundrejt më pak se 2% në BE. Diferenca tregon se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë dhe punësimit vazhdon të jetë e përqendruar në aktivitete me produktivitet relativisht të ulët.

Industria zë rreth 12% të ekonomisë shqiptare, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e BE-së dhe se vendet e tjera të rajonit. Ndërkohë, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore përbëjnë më shumë se një të pestën e ekonomisë, duke reflektuar rolin në rritje të turizmit dhe konsumit.

Në kahun pozitiv, Shqipëria ka shënuar zhvillim relativisht të mirë në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse. Pesha e këtij grupi aktivitetesh në vlerën e shtuar bruto arriti në 8.4%, e dyta më e lartë në rajon pas Serbisë.

Kosova, mbështetje te industria, tregtia dhe ndërtimi

Kosova ka një strukturë ku industria, tregtia dhe ndërtimi zënë pjesën më të madhe të ekonomisë. Industria gjeneron më shumë se një të pestën e vlerës së shtuar bruto (22.8%), ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus