Ushtria amerikane ka shteruar një pjesë të madhe të rezervave të saj globale të raketave shumë precize me rreze të gjatë veprimi gjatë luftës pesëmujore me Iranin, siç raporton Reuters.
Raketat në fjalë janë kryesisht armët tokë-tokë të Ushtrisë, të njohura si Army Tactical Missile Systems (ATACMS) dhe Precision Strike Missiles (PrSM). Sipas dy prej burimeve, SHBA-ja ka përdorur “praktikisht të gjitha” këto armë.
Shkalla në të cilën ushtria po mbetet pa raketat ATACMS dhe Precision Strike Missiles nuk është raportuar më parë.
Këto municione me rreze të gjatë, të cilat kushtojnë mbi 1 milion dollarë secila, janë pjesë e rëndësishme e arsenalit ushtarak, pasi mundësojnë goditje të sakta nga një distancë e sigurt. Raketat ATACMS të furnizuara nga SHBA-ja kanë luajtur rol kyç në luftën në Ukrainë, duke i lejuar forcat ukrainase të godasin objektiva brenda Rusisë. PrSM është gjenerata më e re dhe më e avancuar që do të zëvendësojë ATACMS, e cila ka rreze më të shkurtër.
Rënia e ndjeshme e rezervave të raketave precize me rreze të gjatë nënkupton se presidenti amerikan Donald Trump mund të detyrohet të mbështetet më shumë në misione bombarduese me pilotë, të cilat janë më të rrezikshme, nëse vendos të rifillojë sulme të mëdha ndaj Iranit, thekston Reuters.
Trump e nisi luftën kundër Iranit së bashku me Izraelin në shkurt, duke parashikuar se konflikti do të zgjaste pak.
Pyeter për rezervat e municioneve, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë të Trumpit, ku thuhej se SHBA-ja ka “shumë më tepër municione se kushdo tjetër në botë” dhe “shumë më tepër sesa na duhen”.
“Kompanitë tona të mbrojtjes, pikërisht në këtë moment, po prodhojnë më shumë municione se kurrë më parë, ndërsa po zgjerojnë fabrikat dhe pajisjet e tyre në nivele rekord”, tha Trump.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi:
“Ushtria amerikane është më e fuqishmja në botë dhe ka gjithçka që i nevojitet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh Presidenti. Kemi realizuar me sukses operacione të shumta në komanda të ndryshme luftarake, duke siguruar një arsenal të thellë aftësish për të mbrojtur popullin dhe interesat tona.”
Shifrat për rezervat kanë qarkulluar brenda qeverisë federale gjatë javës së fundit, mes diskutimeve të tensionuara në administratën Trump për sa gjatë SHBA-ja mund të vazhdojë sulmet ndaj Iranit pa i ulur rezervat në nivele që do ta kufizonin aftësinë për t’iu përgjigjur krizave në pjesë të tjera të botës.

















