Çmimet globale të naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke arritur nivelin më të ulët që nga 8 prilli, pas ndërprerjes së përkohshme të përplasjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Lëvizjet në tregjet ndërkombëtare reflektojnë një lehtësim të përkohshëm të presionit gjeopolitik, i cili deri së fundmi kishte ndikuar në rritjen e çmimeve.
Referuar të dhënave të fundit, nafta e tipit Brent e mbylli ditën e hënë me një çmim prej 85.87 dollarësh për fuçi, duke regjistruar një rënie prej 11.3%. Ky zhvillim pasqyron reagimin e menjëhershëm të tregjeve ndaj sinjaleve për de-përshkallëzim të situatës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ndërprerja e sulmeve ndaj Iranit erdhi me kërkesë të vetë Teheranit, duke paralajmëruar njëkohësisht se veprimet ushtarake mund të rifillojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje e qëndrueshme armëpushimi.
Megjithatë, pavarësisht uljes së tensioneve, aktiviteti në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të energjisë, Ngushticën e Hormuzit, mbetet dukshëm i reduktuar. Sipas raportimeve ndërkombëtare, numri i anijeve tregtare që përshkojnë këtë rrugë ujore është shumë më i ulët krahasuar me periudhën para konfliktit, çka tregon për një rikuperim të ngadaltë të besimit në sigurinë e rajonit.
Paralelisht, shqetësimet në treg vazhdojnë për shkak të rreziqeve potenciale ndaj transportit të naftës në zona të tjera strategjike. Sulmet e mundshme ndaj cisternave saudite në Ngushticën Bab al-Mandeb, në hyrje të Detit të Kuq, të lidhura me rebelët Huthi të mbështetur nga Irani, mbeten një faktor i rëndësishëm pasigurie.
Në të njëjtën kohë, tregjet financiare ndërkombëtare kanë reaguar pozitivisht ndaj zhvillimeve të fundit, me rritje të ndjeshme të indekseve kryesore gjatë ditës së djeshme./kudoshqip.com
















