Një gabim në paraqitjen gjeografike të Kosovës në një reklamë të fluturimeve të kompanisë Air Serbia në Aeroportin e Mynihut është korrigjuar, pas reagimeve publike dhe angazhimit institucional. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.
Sipas njoftimit, në materialin promovues Kosova ishte paraqitur gabimisht si pjesë e Serbisë, një pasaktësi që tashmë është adresuar dhe korrigjuar nga autoritetet përkatëse.
Ambasada e Kosovës e cilëson këtë zhvillim si një dëshmi konkrete se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate të prekshme në mbrojtje të imazhit dhe përfaqësimit të saktë të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në të njëjtin njoftim, Ambasada u bën thirrje qytetarëve që, në rast se hasin raste të ngjashme në institucione apo kompani në Gjermani ku Kosova ose qytetet e saj paraqiten në mënyrë të pasaktë, të raportojnë përmes adresës zyrtare embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto çështje të trajtohen dhe korrigjohen në kohë./kudoshqip.com

















