Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, një zhvillim i rëndësishëm që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në sektorët kyç të vendit dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku ai njoftoi për miratimin e projekteve dhe rëndësinë e kësaj mbështetjeje për zhvillimin e vendit.
Më 7 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi zyrtarisht se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro. Pas miratimit përfundimtar nga Komisioni Evropian dhe nënshkrimit e ratifikimit të Marrëveshjes Financiare në Kuvendin e Kosovës, projektet pritet të hyjnë në fazën e zbatimit.
Fondet do të orientohen drejt disa prej fushave më prioritare për zhvillimin e vendit. Konkretisht, 44 milionë euro janë paraparë për mjedisin dhe klimën, 34.5 milionë euro për energjinë, 30.5 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe migrimin, 31.8 milionë euro për konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, 24.7 milionë euro për qeverisjen e mirë dhe përafrimin me Bashkimin Evropian, si dhe 15 milionë euro për sundimin e ligjit.
Rreth gjysma e këtyre mjeteve do të investohen në projekte infrastrukturore, ndërsa shumica e tyre do të realizohen në bashkëpunim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet vendore.
Përveç programeve IPA 2026 dhe 2027, janë miratuar edhe tre grante shtesë në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me një vlerë totale prej 25.9 milionë euro. Këto përfshijnë asistencë teknike për projektin e Hidrosistemit Ibër-Lepenc, përgatitjen e segmentit të autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe një grant investues prej 24.3 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH.
Autoritetet kosovare e kanë vlerësuar këtë mbështetje si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve publike, duke theksuar se fondet do të shfrytëzohen në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve./kudoshqip.com

















