Qeveria gjermane po shqyrton një paketë të re masash fiskale që synojnë lehtësimin e barrës tatimore për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Krerët e partive në pushtet – CDU, CSU dhe SPD – kanë arritur një marrëveshje paraprake për të zbatuar reforma që parashikojnë ulje taksash për këto kategori, ndërsa njëkohësisht planifikohet rritje e tatimeve për shtresat me të ardhura shumë të larta.
Këto masa janë përfshirë në një dokument strategjik të titulluar “Programi për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Punësimin”, i cili synon të nxisë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë fuqinë blerëse të qytetarëve. Sipas planit, lehtësimet tatimore do të arrijnë në rreth 10 miliardë euro në vit.
Megjithatë, zbatimi i këtij programi pritet të kërkojë kohë, pasi fillimisht duhet të hartohet dhe të miratohet legjislacioni përkatës. Aktualisht, parashikohet që masat të hyjnë në fuqi brenda dy viteve të ardhshme.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, një familje me dy fëmijë dhe me të ardhura të tatueshme rreth 60,000 euro në vit mund të përfitojë mbi 600 euro lehtësime tatimore në vit, krahasuar me sistemin aktual.
Nga ana tjetër, reformat parashikojnë një rritje të normave tatimore për individët me të ardhura të larta. Për të ardhurat vjetore mbi 250,000 euro, norma tatimore mund të arrijë në 45%, ndërsa për ata që fitojnë mbi 280,000 euro, tatimi pritet të rritet deri në 47%.
Përveç ndryshimeve fiskale, paketa përfshin edhe masa për thjeshtimin e procedurave administrative dhe reduktimin e burokracisë. Detaje të mëtejshme priten të bëhen publike pas hartimit të projektligjit përkatës.
Këto mbeten për momentin propozime të partive në pushtet, të cilat pritet të kalojnë në procesin ligjvënës përpara se të marrin formë përfundimtare./kudoshqip.com

















