Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian po përballen me tensione të reja, ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të ashpra tregtare ndaj vendeve që vendosin taksa dixhitale për kompanitë amerikane.
Trump ka kërcënuar se çdo shtet që aplikon këto taksa do të përballet me tarifa ndëshkuese deri në 100% për mallrat e importuara në SHBA. Sipas tij, disa vende evropiane janë duke shqyrtuar aktualisht vendosjen e taksave të tilla, të cilat ai i konsideron si të padrejta ndaj kompanive amerikane, përfshirë edhe platformën e tij Truth Social.
Në qendër të këtij debati mbetet Franca, e cila që nga viti 2019 aplikon një taksë prej 3% mbi të ardhurat e gjeneruara nga gjigantët e teknologjisë si Apple dhe Google. Kjo masë ka qenë prej kohësh një pikë përplasjeje mes Uashingtonit dhe Parisit.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka reaguar duke kundërshtuar retorikën e Trumpit. Komisioni Evropian thekson se vendet anëtare kanë të drejtën sovrane për të rregulluar aktivitetet ekonomike brenda territorit të tyre, përfshirë edhe taksimin e kompanive digjitale.
Këto zhvillime rrezikojnë të çojnë në një përshkallëzim të ri të konfliktit tregtar mes dy aleatëve tradicionalë, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të ardhshme ekonomike.
















