Gjermania dhe një pjesë e madhe e Europës po përballen me një valë të fortë të të nxehtit, e cila pritet të zgjasë deri në fundjavë, duke sjellë temperatura tropikale dhe rreziqe për shëndetin e qytetarëve.
Sipas parashikimeve meteorologjike, që nga dita e enjte dhe deri të dielën, në shumë rajone të Gjermanisë temperaturat do të arrijnë nga 35 deri në 41 gradë Celsius. Zonat më të prekura janë perëndimi, jugperëndimi dhe lindja e vendit, ku priten edhe kulmet më të larta të temperaturave.
Ndërkohë, vala e të nxehtit ka shkaktuar tashmë viktima në disa vende të Europës, duke rritur shqetësimin e autoriteteve dhe ekspertëve të shëndetit publik.
Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, sidomos personave më të rrezikuar si të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore kronike.
Një tjetër shqetësim mbeten edhe temperaturat e larta gjatë natës. Netët tropikale, me temperatura që variojnë nga 18 deri në 25°C, po ndikojnë negativisht në cilësinë e gjumit të shumë personave.
Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e stuhive të forta që priten të dielën. Këto mund të shoqërohen me erëra të fuqishme, reshje intensive dhe breshër, duke krijuar kushte të rrezikshme në disa zona.
Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes maksimal: të konsumojnë sa më shumë ujë, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Sipas parashikimeve, nga dita e hënë temperaturat pritet të pësojnë një rënie të ndjeshme në të gjithë territorin e Gjermanisë./kudoshqip.com

















