Mynih – Shitje të qëndrueshme, marzhe të larta fitimi dhe sukses i madh me modelet elektrike: për një kohë të gjatë, BMW konsiderohej si një nga kompanitë model në industrinë gjermane të automobilave. Por tani edhe gjiganti bavarez po ndjen pasojat e krizës në sektorin e makinave.
Kompania ka ulur parashikimin e fitimit për vitin 2026, duke paralajmëruar një rënie të ndjeshme të marzhit të fitimit në vetëm 1 deri në 3 për qind. Po ashtu, pritet që shitjet të jenë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Shkaku kryesor i kësaj situate është dobësimi i kërkesës në tregun kinez, një nga tregjet më të rëndësishme për prodhuesit e makinave. Drejtuesit e BMW kanë paralajmëruar masa më të ashpra kursimi për t’u përballur me kushtet gjithnjë e më të vështira të tregut.
“Duhet të përshtasim strukturat dhe proceset tona me realitetin e ri ekonomik,” është shprehur drejtuesi i kompanisë, duke theksuar se masat ekzistuese do të intensifikohen dhe përshpejtohen.
Deri në 7,500 vende pune në rrezik
Në kuadër të kursimeve, deri në 7,500 vende pune në nivel global mund të preken. Megjithatë, BMW ka një marrëveshje të brendshme që përjashton pushimet masive nga puna.
Reduktimi i stafit pritet të realizohet kryesisht përmes:
pensionimit të parakohshëm
programeve të daljes graduale nga puna
dhe moszëvendësimit të punonjësve që dalin në pension ose largohen
Aktualisht, kompania numëron mbi 154 mijë punonjës në mbarë botën, dhe një “ulje e lehtë” e stafit mund të nënkuptojë reduktim deri në rreth 5%.
Zyrtarët e BMW theksojnë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe çdo hap do të diskutohet fillimisht me përfaqësuesit e punonjësve.
Tregu kinez, shkaku kryesor i krizës
Rënia e shitjeve në Kinë ka qenë goditja më e madhe për BMW. Tregu atje ka pësuar një tkurrje prej rreth 20% krahasuar me një vit më parë.
Ndër faktorët kryesorë janë:
heqja e subvencioneve për makinat elektrike
rritja e çmimeve të karburantit për shkak të tensioneve gjeopolitike
dhe dobësimi i përgjithshëm i kërkesës
Kjo situatë nuk prek vetëm BMW. Edhe prodhues të tjerë të mëdhenj si Volkswagen, Mercedes dhe Porsche po përballen me të njëjtat sfida.
Goditje edhe për bursën
Paralajmërimi për fitimet shkaktoi panik edhe në tregjet financiare. Aksionet e BMW ranë ndjeshëm, ndërsa në gjashtë muajt e fundit kanë humbur rreth një të tretën e vlerës së tyre.
Në rënie u përfshinë edhe aksionet e prodhuesve të tjerë gjermanë të automobilave, duke reflektuar krizën më të gjerë në industri. /hallo-münchen.de/
















