Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih është mbajtur një takim i rëndësishëm rrjetëzimi dhe bashkëpunimi biznesor, i organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (Wood Cluster). Aktiviteti mblodhi kompani nga Kosova dhe përfaqësues të bizneseve të mërgatës shqiptare në Zvicër, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe nxitjen e partneriteteve të reja.
Fokusi i këtij takimi ishte promovimi i bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, shkëmbimi i përvojave dhe identifikimi i mundësive konkrete për investime dhe zhvillim të përbashkët.
E pranishme në këtë ngjarje ishte Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalën e saj theksoi rolin kyç të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve vendore dhe diasporës në Zvicër, duke e cilësuar atë si një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zgjerimin e mundësive për investime.
Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtoresha Ekzekutive e Wood Cluster SHPDK, Arieta Pozhegu, si dhe përfaqësues nga Caritas Switzerland në Kosovë, përfshirë Jetmir Bakija.
Me pjesëmarrjen e 12 kompanive nga Kosova dhe një numri të konsiderueshëm biznesesh nga diaspora, aktiviteti shërbeu si një platformë konkrete për krijimin e kontakteve të reja, thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e urave ekonomike ndërmjet Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Zvicër./kudoshqip.com/



















