Ambasada e Kosovës në Francë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Francë dhe që kanë zgjedhur të votojnë me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që zarfet me fletëvotime të mos i dërgojnë në adresën e ambasadës, transmeton albinfo.ch.
Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada ka sqaruar se të gjitha votat duhet të dërgohen në adresën postare të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mënyrë që të pranohen dhe procedohen sipas rregullave zgjedhore.
Sipas njoftimit, adresa ku duhet të dërgohen zarfet është:
KQZ – ZGJEDHJET
BP 30034
75362 PARIS CEDEX 08
Ambasada ka rikujtuar gjithashtu se periudha e votimit me postë ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor 2026, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Përfaqësia diplomatike u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të respektojnë udhëzimet e KQZ-së, në mënyrë që votat e tyre të arrijnë në kohë dhe të llogariten në procesin zgjedhor.\kudoshqip.com

















