Qeveria federale e Gjermanisë ka miratuar një projektligj për reformimin e sistemit të patentave të shoferit, me synimin që procesi të bëhet më modern, më i thjeshtë dhe më i përballueshëm për qytetarët.
Ministri gjerman i Transportit, Patrick Schnieder, deklaroi se patentat nuk duhet të jenë luks, sidomos për njerëzit që jetojnë në zona ku transporti publik nuk është i zhvilluar.
Aktualisht, marrja e patentës për veturë në Gjermani kushton mesatarisht rreth 3.400 euro, ndërsa me reformën e re synohet ulja e kostove përmes digjitalizimit dhe zvogëlimit të procedurave burokratike.
Sipas planit të ri, autoshkollat do të kenë mundësi të ofrojnë më shumë mësime teorike online dhe do të kenë më shumë fleksibilitet në mënyrën e mësimdhënies. Gjithashtu parashihen më pak vozitje të detyrueshme speciale dhe lejimi i ushtrimeve private në trafik, për shembull me prindërit.
Ndryshime priten edhe në provimet teorike dhe praktike. Numri i pyetjeve në katalogun teorik, i cili aktualisht përmban mbi 1.100 pyetje, do të reduktohet me rreth një të tretën. Ndërsa provimet praktike të vozitjes pritet të zgjasin më pak se deri tani.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është transparenca më e madhe për autoshkollat. Në të ardhmen, çmimet dhe shkalla e suksesit të çdo autoshkolle do të publikohen online, në mënyrë që kandidatët të kenë mundësi më të lehtë krahasimi.
Projektligji tani do të shqyrtohet në Bundestag dhe Bundesrat, ndërsa hyrja në fuqi e reformës synohet për fillimin e vitit 2027.

















