Kompania ajrore zvicerane SWISS ka njoftuar ndryshime në orarin e fluturimeve për sezonin dimëror, duke pezulluar disa linja nga Gjeneva, mes tyre edhe destinacionin për Prishtinë.
Sipas kompanisë, fluturimet drejt Prishtinës, Berlinit dhe Hamburgut nuk do të operohen gjatë sezonit dimëror 2026/2027. Vendimi lidhet me problemet teknike dhe mungesën e pjesëve rezervë për avionët Airbus A220, të cilat kanë krijuar vështirësi në mirëmbajtjen e flotës.
SWISS ka bërë të ditur se sfidat me motorët e avionëve Airbus A220 kanë ndikuar ndjeshëm në operimet e saj gjatë muajve të fundit, duke sjellë anulime dhe ndryshime në planifikimin e fluturimeve.
Për të ruajtur stabilitetin operacional, kompania ka vendosur që disa avionë A220-100 të mbeten jashtë përdorimit për një periudhë të gjatë, ndërsa motorët e tyre do të përdoren për avionët më të mëdhenj A220-300.
Në njoftimin zyrtar, kompania theksoi se këto masa janë ndërmarrë për të garantuar besueshmëri më të madhe në operime dhe për të shmangur probleme të tjera gjatë sezonit të ngarkuar dimëror.
Sipas planifikimit të ri, nga 25 tetori 2026 deri më 27 mars 2027, SWISS do të vazhdojë të operojë 15 destinacione nga Gjeneva, përveç linjës ndërkontinentale drejt Nju Jorkut.
Problemet me furnizimin e pjesëve dhe mirëmbajtjen e avionëve Airbus A220 vazhdojnë të prekin disa kompani ajrore në Evropë, ndërsa SWISS mbetet një nga operatorët më të prekur nga kjo situatë.

















