Në një intervistë ekskluzive për DW Shqip, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se SPAK po jep rezultate konkrete, por kjo ende nuk është e mjaftueshme për përmbylljen e reformave.
Ajo u shpreh se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të anëtarësimit në BE, duke qenë pjesë e ashtuquajturave “themelore”, ku Brukseli kërkon përmbushje të standardeve më të larta.
“SPAK po punon dhe disa raste tregojnë progres. Por kjo nuk mjafton. Bëhet fjalë për ndryshim të kulturës politike dhe forcim të institucioneve,” tha Kos, duke shtuar se edhe kur rastet e korrupsionit zbulohen, kjo tregon funksionim më të mirë të sistemit.
Duke iu referuar rastit të zyrtarëve të lartë nën hetim në Shqipëri, ajo e cilësoi këtë si një tregues të funksionimit të institucioneve, por theksoi se finalja varet nga gjykatat dhe sundimi i ligjit.
Sa i përket objektivit të Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, Kos u shpreh se ky afat është një ambicie e qeverisë shqiptare dhe jo një afat i vendosur nga BE.
“Nëse reformat vazhdojnë dhe kriteret përmbushen, teknikisht është e mundur, por procesi varet nga merita dhe vendimet e shteteve anëtare,” deklaroi ajo.
Komisionerja theksoi gjithashtu se procesi i zgjerimit është tërësisht i bazuar në rezultate dhe nuk ekzistojnë “rrugë të shkurtra”, duke shtuar se shtetet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Kos foli edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen më të avancuarat në proces, ndërsa nënvizoi se Serbia duhet të përshpejtojë reformat dhe të harmonizojë politikën e jashtme me BE-në.
Në fund, ajo ritheksoi se liria e medias dhe pavarësia institucionale janë kushte thelbësore për anëtarësim, duke theksuar se asnjë vend nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa media të lirë dhe pa funksionim të plotë të shtetit të së drejtës.
Intervista u realizua nga Elona Elezi në Bruksel për DW Shqip.

















