PAS Volkswagen, edhe Mercedes po shqyrton një lëvizje drejt prodhimit të armëve, raportojnë mediat e huaja. “Bota është bërë edhe më e paparashikueshme dhe kjo është arsyeja pse Evropa duhet të zgjerojë profilin e saj mbrojtës. Ne jemi gati nëse mund të luajmë një rol pozitiv në këtë proces”, tha drejtori ekzekutiv i Mercedes-Benz, Ola Kaerllenius, në një intervistë me Wall Street Journal.
Kaerllenius beson se industria e automobilave është e njohur për prodhimin e “makinerive me precizion të cilësisë së lartë” dhe për këtë arsye është e përshtatshme për prodhimin e armëve. Në të njëjtën kohë, ai tha se prodhimi i makinave do të mbetej sektori kryesor i Mercedes-it, me prodhimin e armëve një biznes anësor.
Kjo mund të jetë një “fushë prodhimi në rritje që do të kontribuonte në rezultatin e përgjithshëm të biznesit”, tha Kaellenius, duke shtuar se Mercedes tashmë po merr pjesë aktive në forcimin e sigurisë dhe gatishmërisë së NATO-s.
Industria ushtarake
“Shumë variante të G-Class tonë operojnë në të gjithë botën si automjete ushtarake”, theksoi Kaellenius. Përpara Mercedes, Volkswagen njoftoi gjithashtu hyrjen e tij në industrinë ushtarake.
Sipas mediave gjermane, uzina e karrocerisë në Osnabrueck mund të merret në dorëzim nga kompania izraelite Rafael, e cila do të prodhonte pjesë për sistemin e saj anti-raketë Iron Dome në Gjermaninë veriore.
Drejtori ekzekutiv i Volkswagen, Oliver Blume, njoftoi gjithashtu një përfshirje më të madhe në sektorin e transportuesve ushtarakë. Industria gjermane e automobilave është përballur me një kërkesë në rënie për disa vite me radhë dhe ka njoftuar shkurtimet e disa mijëra punëtorëve dhe mbylljen e fabrikave./kudoshqip.com/

















