Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri mori pjesë më 10 maj 2026 në ceremoninë përkujtimore të organizuar me rastin e 81-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit në Mauthausen, një nga vendet simbol të kujtesës historike për viktimat e regjimit nazist.

Gjatë ceremonisë, delegacioni i Ambasadës vendosi kurora lulesh pranë memorialit qendror dhe bëri homazhe te memoriali i Shqipërisë, pllaka përkujtimore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe memoriali i Republikës së Kosovës.
Në aktivitet morën pjesë edhe shumë bashkatdhetarë nga diaspora shqiptare në Austri, së bashku me përfaqësues të shoqatave shqiptare, të cilët u bashkuan për të nderuar viktimat dhe për të ruajtur kujtesën historike.

Përfaqësuesit e Ambasadës theksuan rëndësinë e kujtesës kolektive dhe reflektimit mbi krimet e së kaluarës, duke vlerësuar se ruajtja e këtyre kujtimeve është thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe, liri dhe dinjitet njerëzor.


















