Në Kroaci janë rikthyer diskutimet rreth organizimit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, pas një aktiviteti të mbajtur në Zagreb ku u prezantuan ide për riformatimin e kufijve të brendshëm të shtetit boshnjak dhe krijimin e një entiteti të tretë kroat.
Ngjarja “Tradfest”, e organizuar nga grupe konservatore kroate në fund të prillit, ka nxitur reagime të shumta në Bosnjë-Hercegovinë. Gjatë një prej ligjëratave u shfaq një hartë e Bosnjës me ndarje të reja territoriale, çka u interpretua nga shumë analistë si rikthim i ideve të vjetra nacionaliste.

Marrëdhëniet mes përfaqësuesve kroatë dhe boshnjakë në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës prej vitesh mbeten të tensionuara. Përfaqësuesit kroatë shpesh pretendojnë se sistemi aktual zgjedhor u jep boshnjakëve ndikim të madh në përzgjedhjen e përfaqësuesve politikë kroatë. Megjithatë, kritikët thonë se zgjidhja e këtyre çështjeve nuk duhet të çojë në ndarje të reja territoriale apo në cenimin e integritetit të shtetit boshnjak.
Sipas analistit politik dhe ish-diplomatit kroat Bozho Kovaçeviq, në politikën kroate vazhdojnë të ekzistojnë ide që lidhen me projektet e viteve të luftës në Ballkan. Ai vlerëson se një pjesë e qarqeve politike në Zagreb ende nuk janë distancuar plotësisht nga konceptet që dikur çuan në krijimin e Herceg-Bosnjës gjatë viteve ’90.
Kovaçeviq thekson se pas Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 1994, Kroacia hoqi dorë zyrtarisht nga pretendimet territoriale ndaj Bosnjë-Hercegovinës, por sipas tij, në qarqe të caktuara vazhdojnë të mbijetojnë ide për riorganizim etnik të vendit.
Edhe analisti politik Davor Gjenero e cilëson të dëmshëm diskutimin për një “entitet të tretë” kroat në Bosnjë-Hercegovinë. Ai thotë se struktura aktuale e krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit ka prodhuar tensione të vazhdueshme mes komuniteteve etnike dhe ka hapur hapësirë për retorika separatiste.
Sipas Gjeneros, zhvillimet ndërkombëtare dhe dobësimi i rendit global të bazuar në të drejtën ndërkombëtare kanë inkurajuar grupe të ndryshme politike në rajon që të rikthejnë tema të ndjeshme territoriale. Ai shton se këto narrativa u shërbejnë sidomos forcave separatiste në Bosnjë-Hercegovinë.
Debatet e fundit kanë rikthyer shqetësimet për stabilitetin politik në rajon, ndërsa shumë njohës të çështjeve ballkanike paralajmërojnë se hapja e temave për ndryshim kufijsh mund të sjellë tensione të reja në një rajon ende të ndjeshëm ndaj çështjeve etnike dhe historike.

















