I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si mjet gjeopolitik dhe se SHBA-ja synon t’i zëvendësojë “molekulat ruse” me burime të tjera energjetike përmes zgjerimit të infrastrukturës në Evropën Juglindore.
Ai e përshkruan sigurinë energjetike si siguri kombëtare, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin politik në rajon.

Për Kosovën, Volz thotë se është një aleate shumë e rëndësishme dhe një vend “në nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.
“… kur kushtet e tregut të ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës për investimet energjetike amerikane, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë ai.
I pyetur se a ka diskutime ose plane që mund ta lidhin Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, Volz ka thënë se kjo është pjesë e diskutimeve më të gjera që po zhvillohen dhe po lehtësohen nga rritja e furnizimeve me burime energjetike amerikane përmes korridoreve të ndryshme në Evropë.
“Kjo është pjesë e diskutimeve më të gjera që po zhvillohen dhe po lehtësohen nga rritja e furnizimeve me burime energjetike amerikane përmes korridoreve të ndryshme në Evropë.
Ato përfshijnë Korridorin Vertikal, që ka pikë hyrëse në Greqi, si dhe disa terminale lundruese për gaz natyror, përfshirë atë në ishullin Kërk në Kroaci dhe një interkonektor të ri mes Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë.
Kjo përbën një hap të madh përpara në krijimin e rrugëve dhe arterieve që do të mundësojnë që gazi natyror amerikan të arrijë në vende si Kosova.
Ky është një hap i domosdoshëm i parë, por sigurisht jo i fundit. Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Volz ka shtuar se Kosova është padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim.
“Sa i përket energjisë, unë mendoj se Kosova është padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim.
Për tërheqjen e investimeve më të mëdha, duhet të krijohen më shumë nxitje për investimet e sektorit privat amerikan dhe për financimet ndërkombëtare që të hyjnë në Kosovë. Këto janë çështje me të cilat po merren shumë seriozisht kolegët e mi në Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shtetit.

















