Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar kalendarin zyrtar për organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, duke përcaktuar afatet për regjistrimin dhe votimin e qytetarëve brenda dhe jashtë vendit.
Sipas vendimit të KQZ-së, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë në dispozicion 12 ditë për t’u regjistruar si votues, përkatësisht nga 6 maji deri më 17 maj 2026. Ndërkohë, votimi përmes postës për diasporën do të zhvillohet në periudhën nga 25 maji deri më 6 qershor 2026.
Po ashtu, mërgata do të ketë mundësi të votojë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës më 6 qershor 2026. KQZ ka bërë të ditur se lista e qendrave të votimit në këto përfaqësi, si dhe numri maksimal i votuesve për secilën prej tyre, do të përcaktohen gjatë datave 5 dhe 6 maj.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka vendosur që fushata zgjedhore zyrtare të zgjasë 10 ditë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 6 qershor 2026.
Sa i përket subjekteve politike, afati për aplikim është caktuar deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë duhet të bëhet deri më 12 maj. Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të hidhet më 16 maj 2026.
Buxheti i përgjithshëm i miratuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve kap vlerën prej 10,887,186 euro./kudoshqip.com

















