Shqip kudo që je!

Dënimi i tre terroristëve të Banjskës, prokurori: Nuk do të ndalemi me kaq, do të kërkojmë arrestimin e të tjerëve përmes INTERPOL

Dënimi i tre terroristëve të Banjskës, prokurori: Nuk do të ndalemi me kaq, do të kërkojmë arrestimin e të tjerëve përmes INTERPOL - Dënimi tre terroristëvetëBanjskësprokuroriNukdotëndalemimekaqdotëkërkojmëarrestiminetëtjerëvepërmesINTERPOL

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, ka thënë se e kanë pritur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila sot dënoi me burgim të përjetshëm Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq për sulmin terrorist në Banjskë dhe Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim.

Abazi tha se Prokuroria Speciale nuk do të ndalet me kaq, duke shtuar se do t’i bëj të gjitha përpjekjet që edhe të akuzuarit tjerë të sillen para organeve të drejtësisë, shkruan Reporteri.net.

“Aktgjykim që ka qenë pritje e Prokurorisë Speciale, pas një pune të madhe dhe stërngarkuar e Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, AKI’së dhe të gjitha agjencive tjera ligjzbatuese. Prokuroria Speciale nuk do të ndalet me kaq. Do t’i bëj të gjitha përpjekjet që të njëjtit të sillen para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar prokurori Abazi pas shpalljes së aktgjykimit.

Abazi paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me dënimin e Maksimoviqit, meqë edhe për të Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm.

Ai tha se Banjska ka qenë një nga rastet më komplekse që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës

“Edhe tjerët që mendojnë që nuk janë të kapshëm, do të sjellen shumë shpejtë para organeve të drejtësisë. Ne do të kërkojmë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare që të njëjtit të arrestohen, sikurse që është në fuqi fletarresti ndërkombëtar nga ana e INTERPOL’it”, ka thënë prokurori i rastit.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni.

Kuvendi i Kosovës e duartrokiti aktgjykimin.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi për aktgjykimin në mes të seancës, ku deputetët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën.

Haxhiu tha se drejtësia nuk përfundon pa dorëzimin e kryeterroristit Radojçiq dhe terroristëve të tjerë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kërkoi dënim maksimal edhe për të tjerët e përfshirë në këtë sulm e që janë identifikuar në krye me Milan Radoiçiq.

“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, ka shkruar Sveçla.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile./Reporteri.net

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus