Kosova do të mirëpresë më 27 dhe 28 prill edicionin e dytë të Kosova Finance Forum, një ngjarje që synon ta pozicionojë vendin si një qendër rajonale të diskutimeve dhe zhvillimeve në sektorin financiar.
Ky forum pritet të mbledhë mbi 70 folës dhe rreth 400 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim idesh, analizë të trendeve ekonomike dhe ndërtim të bashkëpunimeve të reja.
Ngjarja do të ofrojë mundësi të veçanta për komunitetin e biznesit, duke u dhënë pjesëmarrësve rastin që brenda një dite të takojnë drejtues të institucioneve kryesore financiare nga vendi dhe rajoni. Po ashtu, profesionistët e fushës financiare do të kenë mundësi të informohen për zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe tregje.
Një tjetër fokus i forumit mbetet zgjerimi i rrjetit të kontakteve dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime, duke e bërë këtë aktivitet një pikë takimi për ide, njerëz dhe kapital.
Kosova Finance Forum zhvillohet në kuadër të platformës Kosova Business Forum, e cila synon të promovojë zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e aktorëve kryesorë të tregut në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

















