Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, z. Afrim Nura, së bashku me konsullin Naser Bejtullahu, zhvilluan një takim të veçantë me familjarët e viktimave të atentatit racist të ndodhur në Qendrën Tregtare Olimpike (OEZ) në Mynih më 22 korrik 2016.
Në këtë takim morën pjesë z. Ismail dhe znj. Nazmije Segashi, si dhe znj. Kumrie Zabërgja, të cilët kujtuan me dhimbje, por edhe me dinjitet, më të dashurit e tyre: Armela Segashi, Diamant Zabërgja dhe Sabina Sulaj.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të mbushur me respekt dhe solidaritet, ku u nderua kujtimi i viktimave dhe u riafirmua rëndësia e ruajtjes së kujtesës kolektive. Familjarët shprehën mirënjohjen e tyre për përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e Konsullatës në mbështetje të tyre ndër vite.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih rikonfirmon përkushtimin e saj për të qëndruar pranë familjeve të prekura, duke qenë një zë i fuqishëm kundër racizmit, diskriminimit dhe ekstremizmit, si dhe një mbështetje e qëndrueshme për diasporën shqiptare./kudoshqip.com

















