Në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, u zhvillua një takim i veçantë me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Nils Schmid, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të rëndësishëm të Gjermanisë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR.
Po ashtu, në takim u trajtuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave dhe zgjerimin e programeve të përbashkëta të trajnimit.
Gjatë bisedimeve, u shpreh mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme dhe rolin konstruktiv të Gjermanisë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Njëkohësisht, u ritheksua përkushtimi për forcimin e partneritetit strategjik, zhvillimin e kapaciteteve sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes në rajon./kudoshqip.com

















