Një rast i pazakontë mashtrimi ka tronditur Bavarinë, ku një lojtar lotarie fitoi një shumë milionëshe pa qenë fare në dijeni për këtë. Në momentin që paraqiti biletën për verifikim, ai u bë viktimë e një skeme mashtruese dhe përfundoi pa asnjë përfitim.
Ngjarja ndodhi në prill të vitit 2024, kur lojtari kishte qëlluar kombinimin fitues në lojën “Spiel 77”, duke siguruar plot 1.477.777 euro. I pavetëdijshëm për fitimin, ai iu drejtua një pike shitjeje në një pikë karburanti në zonën e Grasbrunn, pranë Mynihut, për të kontrolluar biletën.
Punonjësi i sportelit, pasi e kuptoi menjëherë shumën e madhe të fitimit, vendosi ta fshehë të vërtetën. Ai i tha klientit se bileta nuk ishte fituese dhe e mbajti atë për vete, duke nisur kështu një mashtrim të mirëorganizuar.
Rasti doli në dritë disa muaj më vonë, në korrik 2024, kur i njëjti punonjës u paraqit në qendrën e lotarisë për të tërhequr shumën. Sjellja e tij ngjalli dyshime te stafi, i cili zbuloi se ai ishte vetë punonjës i një pike lotarie – gjë që bie ndesh me rregullat. Verifikimet e mëtejshme treguan se ai nuk ishte personi që kishte plotësuar biletën fituese.
Ndërkohë, fituesi i vërtetë nuk mundi të identifikohej më. Ai kishte lënë faturën e lojës në pikën e shitjes, pasi ishte informuar gabimisht se nuk kishte fituar asgjë. Pa këtë dëshmi, ai humbi çdo të drejtë ligjore për të kërkuar shumën e fituar.
Autori i mashtrimit u përball me drejtësinë dhe pranoi fajin. Gjykata e dënoi me 15 muaj burg me kusht. Avokati i tij theksoi se klienti i tij pranoi vendimin dhe synon ta mbyllë këtë çështje.
Ky rast shërben si paralajmërim për të gjithë lojtarët që të kontrollojnë me kujdes biletat dhe të mos mbështeten vetëm në deklarime verbale, pasi pasojat mund të jenë të pakthyeshme.

















