Shqip kudo që je!

Konferencë në Bruksel për komunitetin shqiptar në Belgjikë

Konferencë në Bruksel për komunitetin shqiptar në Belgjikë - Konferencë Bruksel përkomunitetinshqiptarnëBelgjikë

Në Parlamentin e Rajonit të Brukselit u mbajt një konferencë kushtuar historisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Belgjikë, e organizuar nga deputetja shqiptare Kristela Bytyçi.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, përfshirë Ministrin-Këshilltar Sami Kastrati, Konsullin Miftar Kryeziu dhe Sekretarin e Dytë Ylli Sokoli.

Të pranishmëve iu drejtuan gjithashtu figura të larta institucionale belge dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministrin e Brendshëm të Belgjikës Bernard Quintin, Presidentin e Parlamentit të Brukselit Bertin Mampaka, Presidentin e CPAS të Qytetit të Brukselit David Weytsman, si dhe Ambasadoren e Shqipërisë në Belgjikë Albana Dautllari.

Në fjalën e tij, Ministri-Këshilltar Sami Kastrati vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar ndër vite, duke theksuar rolin e tij në forcimin e lidhjeve ndërmjet Belgjikës dhe vendeve shqiptare.

“Teksa shënojmë 70-vjetorin e emigracionit shqiptar në Belgjikë, historia e shqiptarëve të Kosovës dëshmon se si vuajtjet dhe sfidat mund të shndërrohen në forcë. Ajo që nisi si një histori e vështirë, sot është kthyer në një histori suksesi të përbashkët,” u shpreh ai.

Kastrati theksoi se komuniteti shqiptar në qytete si Brukseli, Antverpi, Liège dhe Namur përfaqëson një shembull të integrimit të suksesshëm, ku breza të tërë kanë ndërtuar jetë të reja dhe kontribuojnë në shoqërinë belge si profesionistë, sipërmarrës dhe qytetarë aktivë.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj Belgjikës dhe popullit belg për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës, si dhe për përkrahjen në proceset integruese të vendit, përfshirë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Gjatë viteve të fundit, miqësia dhe partneriteti ynë janë zgjeruar në shumë fusha dhe jemi të bindur se ato do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej,” shtoi ai.

Në kuadër të konferencës, Kolë Gjeloshaj-Hysaj prezantoi një analizë të detajuar mbi historinë e emigrimit shqipfolës në Belgjikë, duke veçuar momentet kyçe dhe zhvillimet kryesore të komunitetit ndër vite.

Aktiviteti solli në fokus rolin, integrimin dhe kontributin e vazhdueshëm të shqiptarëve në jetën shoqërore, ekonomike dhe institucionale të Belgjikës. Konferenca u shoqërua gjithashtu me një ekspozitë fotografike dhe prezantime që pasqyruan përvojat dhe rrëfimet e brezave të parë të emigrantëve shqiptarë, duke rikujtuar historinë dhe trashëgiminë e tyre ndër dekada./kudoshqip.com/

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus