Rina Bsholli, profesioniste nga Kosova, ishte e ftuar si ligjëruese në Universitetin Tufts në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndau përvojën e saj me studentët e kursit të Inxhinierisë së Sigurisë Kibernetike, të udhëhequr nga profesori Ming Chow.
Gjatë kësaj ligjërate, ajo prezantoi jo vetëm aspektin teknik të karrierës së saj në fushën e sigurisë kibernetike, por edhe historinë personale dhe rrugëtimin që e ka sjellë deri në këtë pikë. Në fjalën e saj, ajo foli për Kosovën, historinë e saj, periudhën e luftës dhe sfidat me të cilat janë përballur gjeneratat e mëparshme, duke theksuar sakrificat që kanë mundësuar mundësi të reja për të rinjtë sot.
Ajo gjithashtu vuri në pah rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në krijimin e mundësive për të rinjtë ambiciozë, të cilët dikur vetëm mund të ëndërronin për studime në universitete prestigjioze si MIT, Harvard apo Tufts.

Pjesa më e madhe e bashkëbisedimit me studentët u përqendrua në pyetjet dhe interesimet e tyre rreth karrierës në sigurinë kibernetike, duke trajtuar tema konkrete si dobësitë e panjohura (zero-days), teknikat e mbrojtjes nga sulmet dhe ndërtimi i një karriere në këtë fushë dinamike.
Një moment i veçantë për Bshollin ishte kur kuptoi se çështje që lidhen me Kosovën po diskutoheshin edhe në auditorët e Tufts, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm që institucionet akademike luajnë në trajtimin e zhvillimeve globale dhe në formësimin e liderëve të ardhshëm.
Në fund, ajo shprehu mirënjohje për profesorin Ming Chow për ftesën dhe mikpritjen, duke e cilësuar këtë përvojë si një mundësi të çmuar për të ndarë njohuri, për të krijuar lidhje të reja dhe për të mësuar më shumë, ndërsa u shpreh optimiste për hapat e ardhshëm në karrierën e saj./kudoshqip.com/

















