Kompania hekurudhore gjermane Deutsche Bahn (DB) ka paguar gjatë vitit të kaluar rreth 156.1 milionë euro kompensime për pasagjerët, për shkak të vonesave të shumta dhe anulimeve të trenave.
Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, kjo shumë është rreth tre herë më e lartë se në vitin 2019, megjithatë mbetet rreth 41 milionë euro më e ulët krahasuar me vitin 2024.
Përfaqësuesi i DB-së, Michael Peterson, tha se ulja e kompensimeve krahasuar me një vit më parë mund të lidhet edhe me mungesën e ngjarjeve të mëdha të jashtëzakonshme, siç ishin grevat që kishin ndikuar në trafikun hekurudhor në periudha të mëparshme. Megjithatë, sipas tij, këto pagesa vazhdojnë të përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare për kompaninë.
Një tjetër sfidë për operatorin hekurudhor janë punimet e shumta ndërtimore dhe projektet e rinovimit të infrastrukturës, të cilat shpesh shkaktojnë ndërprerje në qarkullimin e trenave, anulime dhe vonesa.
Përveç kësaj, kompania është përballur edhe me rritje të kostove për përdorimin e rrjetit hekurudhor, duke paguar afro 300 milionë euro më shumë për aksesin në shina.
Ndikim në trafikun e trenave në distanca të gjata ka pasur edhe Deutschlandticket, bileta mujore për transportin publik në Gjermani. Sipas të dhënave, kjo skemë ka bërë që rreth 15 milionë pasagjerë të zgjedhin më shumë trenat rajonalë, për shkak të kostos më të ulët, duke ulur kështu numrin e udhëtarëve në linjat e gjata.
Sipas raportimeve të Reuters, sektori i trenave në distanca të gjata i DB-së mund të ketë shënuar humbje të konsiderueshme, ndërsa rezultatet zyrtare financiare për vitin 2025 ende nuk janë publikuar./kudoshqip.com/

















