Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit, me qëllim hartimin e programit qeverisës për mandatin e ri.
Sipas tij, në zgjedhjet e dhjetorit 2025 qytetarët i kanë dhënë qeverisë një besim të madh, të cilin ekzekutivi synon ta kthejë në siguri dhe zhvillim.
Kurti bëri të ditur se gjatë këtij takimi do të punohet për shndërrimin e zotimeve të fushatës dhe ekspozesë së prezantuar para deputetëve në program qeverisës konkret.
Ai theksoi se programi do të përkthehet në plane me projekte, objektiva dhe masa konkrete që do të realizohen gjatë mandatit qeverisës.
Postimi i tij i plotë:
Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen.
Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës.
Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati.
Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë.

















