Shqip kudo që je!

Mbrëmje Gala në Bavari kushtuar rolit të gruas në shoqëri

Mbrëmje Gala në Bavari kushtuar rolit të gruas në shoqëri - Mbrëmje Gala Bavarikushtuarrolittëgruasnëshoqëri

Në një atmosferë festive dhe plot elegancë, rreth 500 gra shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani u mblodhën në një mbrëmje gala të veçantë në Bavari, kushtuar rolit dhe kontributit të gruas në shoqëri. Aktiviteti u organizua nga sipërmarrësja e suksesshme në Bavari, znj. Njomza Rama-Hajraj, e cila solli së bashku gra të angazhuara në fusha të ndryshme të jetës profesionale dhe shoqërore.

Mbrëmja u zhvillua në ambientet prestigjioze të Königliches Kurhaus në Bad Reichenhall, ku të pranishmet – sipërmarrëse, mësuese, mjeke, profesioniste të fushave të ndryshme dhe nëna të përkushtuara – ndanë një moment të veçantë reflektimi, vlerësimi dhe motivimi për rolin e tyre në shoqëri.

Ky aktivitet u shndërrua në një homazh për forcën, përkushtimin dhe shembullin e grave shqiptare në diasporë, të cilat çdo ditë përballen me sfida dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në jetën sociale dhe profesionale në Gjermani.

Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Bavari, znj. Gentiana Mburimi, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmet, duke theksuar rëndësinë e rolit të grave shqiptare në forcimin e komunitetit dhe promovimin e vlerave shqiptare në diasporë.

Pjesë e këtij organizimi ishin gjithashtu edhe përfaqësuese të shoqatave shqiptare në Gjermani, mes tyre nënkryetarja e Shoqatës “Shqiponja”, znj. Blerta Goci Morina, znj. Adriana Mani, si dhe shumë anëtare të tjera të kësaj shoqate. Në aktivitet ishte e pranishme edhe kryetarja për Gjermaninë e shoqatës humanitare “Jetimet e Ballkanit”, znj. Drita Zumberi.

Mbrëmja gala vijoi me një program të pasur artistik, momente argëtuese dhe surpriza të shumta, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive për të gjitha zonjat e pranishme.

Kjo ngjarje u konsiderua një ndër aktivitetet më domethënëse të komunitetit shqiptar në Bavari, duke dëshmuar edhe një herë rolin dhe ndikimin e rëndësishëm të grave shqiptare në diasporë./kudoshqip.com/

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus