Mynih – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura, mori pjesë në aktivitetin e radhës të Wirtschaftsbeirat Bayern (Këshilli Ekonomik i Bavarisë), i cili u mbajt në hotelin prestigjioz Hotel Bayerischer Hof.
Takimi mblodhi personalitete të rëndësishme nga politika, ekonomia dhe fusha e sigurisë, ku u diskutua mbi përgjegjësinë e Evropës në garantimin e sigurisë dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të kontinentit.
Një moment i veçantë i këtij aktiviteti ishte takimi i Konsullit Nura me gjeneralin në pension Klaus Naumann, një nga figurat kyçe të NATO gjatë periudhës së ndërhyrjes në Kosovë. Gjatë bisedës, Nura shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e tij të rëndësishme për Kosovën në momentet vendimtare të historisë së saj.
Në kuadër të këtij organizimi, Konsulli i Përgjithshëm zhvilloi gjithashtu takime me personalitete dhe sipërmarrës të njohur nga Bavari, duke diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe këtij rajoni të rëndësishëm gjerman./kudoshqip.com/




















