Shqip kudo që je!

Nga tensionet në Lindjen e Mesme te Kosova: Si përfundoi Bondsteel në qendër të komenteve në rrjet?

Nga tensionet në Lindjen e Mesme te Kosova: Si përfundoi Bondsteel në qendër të komenteve në rrjet? - tensionet LindjeneMesmeteKosovaSipërfundoiBondsteelnëqendërtëkomentevenërrjet

Pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën sulme ndaj objektivave në Iran, në rrjete sociale dhe veçanërisht në aplikacionin Telegram kanë nisur të qarkullojnë komente dhe postime që përmendin edhe Kosovën.

Në disa kanale me mijëra ndjekës janë publikuar mesazhe provokuese si “Mos e gjyko, godite Bondsteel-in” apo “Ja edhe një bazë amerikane”, të shoqëruara me harta ku shënohet vendndodhja e Camp Bondsteel, baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan, e vendosur pranë Ferizajt.

Disa postime përfshijnë edhe pamje të rrezes së raketave balistike iraniane me fokus në territorin e Kosovës, ndërsa në komente përdoret gjuhë nxitëse dhe thirrje të drejtpërdrejta për sulme. Një nga kanalet e ekstremit të djathtë në Serbi, “Bunt je stanje duha”, ka publikuar edhe koordinatat gjeografike të kampit, duke e shoqëruar postimin me deklarata provokuese. Postimi në fjalë ka arritur dhjetëra mijëra shikime.

Shumë prej këtyre kanaleve në gjuhën serbe janë krijuar pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022 dhe shpesh karakterizohen nga qëndrime proruse dhe retorikë të ashpër kundër bashkëpunimit me vendet perëndimore. Ditët e fundit, ato po raportojnë dhe komentojnë në kohë reale zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Çfarë ndodhi më 28 shkurt?
Sipas raportimeve ndërkombëtare, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak kundër objektivave strategjike në Iran, përfshirë instalime ushtarake dhe rezidenca të zyrtarëve të lartë. Operacioni erdhi pas disa javësh tensione dhe grumbullimi forcash në rajon. Gjatë zhvillimeve u raportua për vrasjen e liderit suprem iranian, ajatollahut Ali Khamenei, si dhe për humbje të tjera në radhët e udhëheqjes iraniane. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se operacioni mund të zgjasë disa javë.

Si kundërpërgjigje, Irani ndërmori sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane dhe perëndimore, si dhe ndaj caqeve në Izrael dhe rajonin e Gjirit Persik. Ndërkohë, Izraeli goditi pozicione të Hezbollah në Liban.

Në këtë klimë tensioni, disa kanale në Telegram vazhdojnë të shpërndajnë koordinata dhe harta që lidhen me Bondsteel-in, duke përdorur gjuhë sfiduese dhe provokuese. Megjithatë, deri më tani, këto mbeten thirrje dhe reagime në hapësirën digjitale, pa ndonjë konfirmim për kërcënime konkrete apo zhvillime në terren.

Përfshirja e emrit të Bondsteel-it në këto diskutime tregon se si zhvillimet globale mund të reflektohen shpejt edhe në narrativat rajonale në rrjetet sociale, sidomos në platforma ku mungon moderimi i rreptë i përmbajtjes.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus