Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka publikuar një njoftim për qytetarët e Republika e Kosovës dhe vizitorët turistikë që aktualisht ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk kanë mundësi të kthehen për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të tyre.
Sipas informacioneve të bëra publike, autoritetet në Emirate kanë vendosur që personave që u ka përfunduar afati i qëndrimit (check-out), por që nuk mund të udhëtojnë, t’u mundësohet vazhdimi i akomodimit në të njëjtin hotel deri në momentin kur të krijohen kushtet për largim nga vendi.
Po ashtu, është bërë e ditur se shpenzimet e qëndrimit do të mbulohen nga data kur udhëtimi është bërë i pamundur, deri në ditën kur qytetarët mund të largohen.
Ambasada u rekomandon të gjithë të prekurve nga kjo situatë që të jenë në komunikim të drejtpërdrejtë me menaxhmentin e hotelit ku qëndrojnë dhe, në rast nevoje për sqarime shtesë apo asistencë, të kontaktojnë përfaqësinë diplomatike.
Përfaqësia e Kosovës në Emirate ka theksuar se mbetet e gatshme të ofrojë mbështetje dhe informacione të mëtejshme për të gjithë qytetarët në nevojë.

















