Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, është raportuar i vrarë në kompleksin e tij rezidencial në Teheran, sipas mediave shtetërore iraniane. Lajmi u bë publik nga agjencia Fars, e cila njoftoi se ai humbi jetën në zyrën e tij, teksa po ushtronte detyrat zyrtare në momentin e sulmit që ndodhi në orët e para të së shtunës.
Sipas raportimeve të publikuara nga CNN, pamjet satelitore pas ngjarjes tregojnë shtëllunga tymi të zi që ngrihen mbi kompleksin në qendër të Teheranit. Fotot sugjerojnë se disa prej ndërtesave brenda perimetrit janë dëmtuar rëndë si pasojë e goditjeve.
Kompleksi ndodhet pranë një universiteti në kryeqytet dhe konsiderohet një nga qendrat kryesore të vendimmarrjes së strukturës teokratike të Republikës Islamike.
Pas konfirmimit të vdekjes së Khameneit, autoritetet iraniane reaguan ashpër, duke paralajmëruar kundërpërgjigje. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se së shpejti do të ndërmerren operacione të gjera ushtarake kundër objektivave që i cilësoi si baza amerikane.
Edhe qeveria iraniane, përmes një deklarate zyrtare, theksoi se sulmi nuk do të mbetet pa pasoja, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë që do të ketë ndikim të madh në zhvillimet e ardhshme në botën islame./kudoshqip.com/

















