Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbledhur në një takim urgjent Këshillin e Sigurisë për të shqyrtuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas operacionit “Epic Fury” të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ritheksoi pozicionin e prerë të institucioneve kosovare në mbështetje të aleatëve strategjikë, duke veçuar SHBA-të si partnerin kyç të Kosovës në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global. Ai nënvizoi se veprimet amerikane ndaj objektivave të regjimit iranian synojnë të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe të kufizojnë kapacitetet që mund të destabilizojnë rajonin.
Sipas tij, përkrahja e Kosovës ndaj këtyre hapave lidhet drejtpërdrejt me orientimin euroatlantik të vendit dhe partneritetin e ngushtë me Uashingtonin. Ai shtoi se institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të palëkundura në krah të aleatëve të tyre në përpjekjet për siguri ndërkombëtare.
Njëkohësisht, Kurti shprehu solidaritet me qytetarët e Iranit, duke theksuar mbështetjen për aspiratat e tyre për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
Autoritetet kosovare, tha ai, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ndërsa po monitorojnë me kujdes situatën dhe ndikimet e mundshme në rajon. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare e të besueshme, duke shmangur dezinformatat që synojnë të krijojnë pasiguri.
Kosova, përfundoi ai, mbetet e përkushtuar si partnere e besueshme e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet për paqe dhe stabilitet global./kudoshqip.com/

















