Një fotografi e Presidentit të Këshillit Kombëtar të Austrisë, Walter Rosenkranz, krah aktivistes kosovare Elvana Shala ka shkaktuar debat dhe reagime të forta në mesin e organizatave serbe në Austri.
Fotoja është realizuar në ambientet e parlamentit, ku Shala shihet me një beretë që mban simbolin e UÇK-së. Sipas raportimit të revistës austriake Profil, kjo pamje ka nxitur pakënaqësi te organizata ombrellë e serbëve në Austri, e cila ka reaguar me një letër të hapur drejtuar Rosenkranzit.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi, në një aktivitet të mbajtur në Bursën e Vjenës me rastin e festës kombëtare serbe, Rosenkranz i kishte cilësuar serbët në Austri si “ura njerëzore” që lidhin dy vendet. Ndërkohë, më 17 shkurt – në Ditën e Pavarësisë së Kosovës – u publikua fotografia me Shalën, e cila kishte marrë pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare Zero Project në parlamentin austriak.
Shala, e cila angazhohet edhe në forume ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ka deklaruar se mbajtja e beretës me simbolin e UÇK-së ishte një akt simbolik në nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ajo ka theksuar se biseda me Rosenkranz ka qenë e shkurtër dhe se ai kishte përcjellë urime për popullin e Kosovës.
Nga ana tjetër, organizata ombrellë e serbëve në Austri ka shprehur “tronditje të thellë” dhe ka kërkuar një sqarim publik, duke theksuar ndjeshmërinë e komunitetit serb, i cili numëron mbi 300 mijë persona në Austri.
Fillimisht, Rosenkranz nuk komentoi publikisht. Më pas, sipas mediave, zyra e tij i është përgjigjur organizatës serbe me shkrim, duke mohuar se në takim është diskutuar për Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe duke theksuar kompleksitetin historik e politik të çështjes Kosovë–Serbi.
Ndërkohë, Shala ka reaguar edhe në rrjetet sociale, duke theksuar se përfaqësimi me simbole shtetërore është e drejtë legjitime në forume ndërkombëtare. Ajo ka deklaruar se përpjekjet për ta penguar pjesëmarrjen e saj nuk kanë pasur sukses dhe nuk do të mund të ndalin zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

















